Pyetje: Si duhet të veprojë gruaja në lidhje me namazin, nëse dështon para apo pas plotësimit të krijimit të embrionit?

Përgjigje: 1- Nëse një pjesë e trupit të embrionit (dora, koka, këmba apo diçka tjetër) është plotësuar, atëherë gruaja konsiderohet lehonë,pra asaj nuk i lejohet që të falet, të agjërojë apo të kryejë marrëdhënie seksuale me burrin e saj derisa të ndërpritet rrjedhja e gjakut ose të plotësohen dyzet ditët.
Nëse gjaku ndërpritet para plotësimit të dyzet ditëve, atëherë ajo duhet që,pasi të lahet, të falet e të agjërojë Ramazanin dhe në të njëjtën kohë i lejohet të kryejë marrëdhënie seksuale me të shoqin, sepse nuk është transmetuar asnjë argument i saktë, në lidhje me periudhën më të shkurtër të lehonisë.
Periudha më e gjatë e lehonisë, në bazë të haditheve të sakta është dyzet ditë, ndaj, nëse rrjedhja e gjakut vazhdon edhe pas plotësimit të dyzet ditëve, gruaja duhet të falet dhe agjerojë, pasi gjaku i dalë prej saj konsiderohet si gjak i prishur.
Gjithashtu, ajo duhet të marrë abdest para çdo namazi, sepse kështu e ka urdheruar Pejgamberi,salAll-llahu alejhi ve selem, Fatimen, të bijën e Ebu Hubejshit, e cila ishte mustehada.(01)
Nëse gjaku që del pas 40 ditëshit qëllon në të njëjtën kohë me ditët e zakonshme të menstruacioneve, atëherë gruaja duhet të veproje ashtu siç veprojnë gratë me menstruacione.

2- Nëse embrionit nuk i është plotësuar asnjë pjesë e trupit të tij, d.m.th. është thjesht një copë mishi apo gjaku pa formë, atëherë gruaja nuk konsiderohet lehonë, por istihada, ndaj duhet të falet e të agjërojë pa i dhënë rëndësi gjakut që del prej saj.
Ajo duhet të marrë abdest për çdo namaz dhe në të njëjtën kohë duhet të mundohet që të pengojë daljen e gjakut me një copë të pastër apo me diçka tjetër të ngjashme me të.
Asaj i lejohet të bashkojë namazin e drekës me atë të ikindisë, si edhe namazin e akshamit me atë të jacisë, ashtu siç i lejohet që të lahet për dy namazet e bashkuara si dhe për namazin e sabahut, siç është transmetuar ne hadithin e Himnes, bijës se Xhahshit.

Autor: Imam Bin Bazi
Libri: “Pyetje dhe Përgjigje”

FundNota
—————————————————————————————————-
01: Gruaja së cilës i rrjedh gjaku jashtë kohës se zakonshme të menstruacioneve.