Një përgjigje për ata që duan të falen, por nuk gjejnë forcë. (nr. 1))
Përshëndetje! Para pak kohësh kam pranuar Islamin, elhamdulilah, por në fakt akoma nuk kam filluar të falem 5 herë në ditë. Kam shumë dëshirë të falem, por ende nuk kam gjetur forcën ta bëj këtë rregullisht. Çfarë më këshilloni?
Përgjigje e shtjelluar:
Falënderimi i takon vetëm Allahut. Lavdërimi, paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.
Vëlla i nderuar, fillimisht të përgëzoj për këtë mirësi të madhe me të cilën të ka begatuar Allahu. Vërtet, udhëzimi në Islam është dhurata më e çmuar që Zoti mund t'i bëjë njeriut, dhe jo të gjithë janë të përzgjedhur për ta jetuar këtë mirësi.
Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të), duke ia përshkruar strukturën e fesë shokut të tij, Muadh bin Xhebelit, i tha: "Kreu i çështjes është Islami, ndërsa shtylla e tij është namazi."[1] Me këto fjalë, Profeti na tregon se namazi është për fenë ashtu siç është shtylla qendrore për çadrën; pa këtë shtyllë, çadra nuk mund të qëndrojë e ngritur.
Namazi është treguesi më i qartë i sinqeritetit në pendim (teube[2]) dhe i saktësisë së besimit. Fakti që ti ke dëshirë të falesh, tregon se besimi është në zemrën tënde, dhe tani mbetet vetëm ta ujitësh këtë besim me veprën e namazit. Ne shpresojmë që namazi pas pendimit të jetë tregues që Allahu e ka pranuar teuben tënde.
Allahu i Lartësuar ka përcaktuar një shpërblim të madh për faljen e namazit. Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) e ka krahasuar namazin me një lumë që rrjedh, i cili pastron çdo papastërti, duke na treguar se Allahu i fshin mëkatet nëpërmjet tij. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: "Më thoni, nëse para derës së ndonjërit prej jush do të rridhte një lumë, në të cilin ai do të lahej pesë herë në ditë, a do t'i mbetej ndonjë papastërti në trup?" Të pranishmit thanë: "Jo, nuk do t'i mbetej asgjë." Atëherë Profeti tha: "Ky është shembulli i pesë namazeve; me to Allahu i fshin mëkatet."[3]
Namazi është gjëja e parë për të cilën do të pyetemi në botën e përtejme. Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) të thotë: “Vepra e parë për të cilën do të japë llogari robi në Ditën e Kiametit është namazi i tij. Nëse namazi është i rregullt, ai ka shpëtuar dhe ka fituar; por nëse namazi është i prishur, ai ka dështuar dhe ka humbur. Nëse i mungon diçka nga farzet (obligimet), Zoti i Madhërishëm thotë (u thotë melekëve): ‘Shikoni a ka robi im ndonjë namaz vullnetar (nafile)?’, që me të të plotësohet ajo që mungon nga farzi. Më pas, e gjithë llogaria e veprave të tjera do të bëhet në këtë mënyrë.”[4]
Të gjitha këto argumente tregojnë rëndësinë e jashtëzakonshme të namazit në Islam. Ai është çelësi i çdo mirësie. Namazi i dhuron zemrës prehje e lumturi, shpirtit i fal gëzim e qetësi, ndërsa trupit i jep gjallëri. Për këtë arsye, Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) thoshte: "Prehja e shpirtit tim është vendosur në namaz."[5]
Njeriu nuk mbetet përherë në të njëjtën gjendje: nëse një çast është i kthjellët, në tjetrin turbullohet; nëse gëzohet nga diçka, diçka tjetër vjen e ia prish atë gëzim. Në këtë botë të trazuar, namazi është kontakti yt i vazhdueshëm dhe i drejtpërdrejtë me Zotin. Aty gjen falje për gabimet, qetësi nga lodhja dhe përgjigje për lutjet e tua.
Namazi është amaneti dhe porosia e fundit që Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) na la në prag të vdekjes.[6]
Së fundi, të këshilloj ta fillosh namazin, duke i kërkuar ndihmë Allahut dhe duke shpresuar te mëshira e Tij. Lus Zotin ta lehtësojë faljen e namazit për ty, ashtu siç të ka mundësuar pranimin e Islamit!
[1] Transmeton Tirmidhiu (nr. 2616); shih saktësimin e Albanit në "Sahih Et-Tirmidhi" (nr. 2110).
[2] Teubeja (pendimi) është kthimi nga gjendja e mosbindjes ndaj Zotit në një gjendje bindjeje dhe nënshtrimi.
[3] Transmetojnë: Buhariu (nr. 528) dhe Muslimi (nr. 667).
[4] Transmetojnë Nesaiu (nr. 465) dhe Tirmidhiu (nr. 413). Albani e ka saktësuar në "Sahih el-Xhami" (nr. 2573).
[5] Transmetoi Nesaiu (nr. 399). Albani e ka saktësuar në Sahih En-Nesai (nr. 3681).
[6] Shih Sunen Ebu Daud (nr. 5156), saktësoi Albani në Sahih Ebu Daud (nr. 5156).